Nga Ermal Baja*
(Aktivist i MESO Center)
Në termat shkencorë, verbëria nuk konsiderohet sëmundje, nga e cila ti mund të vuash sistematikisht, të marrësh mjekim për të apo të lëngosh në shtrat. Verbëria është vetëm një mungesë shqisore, e cila nuk të privon nga përfitimi i ndjesive pozitive gjatë jetës.
Shtatë vite më parë, për shkak të avancimit të një sëmundjeje që nga vegjëlia, humba totalisht shikimin.
Pas vizitave të shumta brenda dhe jashtë vendit, sëmundja rezultoi të ishte e pashërueshme, kështu që do më duhej të përshtatesha me mënyrën e re të jetesës.
Shumëkush mund të mendojë se kjo është sprova më e madhe, për vetë rëndësinë që shikimi mbart në vetvete.
Të jem i sinqertë, kjo nuk është e lehtë, por ju them se nuk është më e rënda. Profeti ynë i dashur Muhamedi a.s ka thënë në një hadith: “Atij që Allahu i ka marrë dy “të dashurit” e tij, dmth dy sytë e ballit, dhe bën durim, atij Allahu i garanton Xhenetin.”
Duke qenë se njeriu nuk e merr informacionin nga bota vetëm nëpërmjet shikimit, edhe i një i verbër ka shqisat e tjera për marrjen e informacionit dhe, në rastin e mungesës së njërës, të tjerat zhvillohen më shumë. Si rrjedhojë, i verbëri nuk jeton në errësirë totale, siç mund të jetë përshtypja e shumëkujt.
Në këtë mënyrë, shfaqen shumë mundësi të tjera për të kryer proceset jetësore, disi më ndryshe nga format që kanë njerezit në jetën e përditshme.
Unë sot, falë dëgjimit, falë ndjesisë së hollë të prekjes dhe sigurisht falë intuitës, bëj një jetë të pavarur, duke punuar, studiuar, kujdesur për familjen e duke marrë pjesë në aktivitete sociale.
Të jetosh i verbër është njësoj si të ndjekësh një rrugë dytësore për të shkuar në destinacion, ku te tjerët mbërrijnë nëpërmjet autostradës. Ti mund të shkosh pak më vonë, por po të përpiqesh të gjesh pak pozitivitet, sheh që, në fakt, je i mbrojtur nga rreziqet e mëdha që shfaq autostrada.
Na ndiqni ne Facebook: https://www.facebook.com/mesocenter.al